January 28, 2023

Brazili dhe Argjentina po shqyrtojnë implementimin e monedhës së përbashkët

Presidentët brazilian dhe argjentinas Luiz Inacio Lula da Silva dhe Alberto Fernandez njoftuan në një deklaratë të përbashkët se dy vendet më të mëdha të Amerikës së Jugut po punojnë për lidhje më të forta ekonomike, të cilat do të përfshinin futjen e një monedhe të përbashkët.

Projekti fillimisht do të ishte dypalësh, por ideja është që nisma të përfshijë përfundimisht edhe vende të tjera të Amerikës së Jugut.

“Synimi ynë është të heqim barrierat që pengojnë shkëmbimin tonë, të thjeshtojmë dhe modernizojmë rregullat dhe të inkurajojmë përdorimin e monedhës vendase. Ne kemi vendosur gjithashtu të avancojmë diskutimet për futjen e një monedhe të përbashkët të Amerikës së Jugut që mund të përdoret si në sektorin financiar ashtu edhe në atë tregtar, duke ulur kështu kostot si dhe cenueshmërinë tonë të jashtme”, thuhet në njoftim.

Një takim do të mbahet në Buenos Aires këtë javë për të diskutuar se si monedha e re, e propozuar të quhet “sur” (jug), do të forcojë tregun rajonal dhe do të reduktojë varësinë nga dollari amerikan.

Bisedimet midis Brazilit dhe Argjentinës për të futur një monedhë të përbashkët u mbajtën gjithashtu në vitin 2019, por më pas ideja u refuzua nga Banka Qendrore e Brazilit.

Reuters