November 27, 2022

Një vend i BE-së aplikon javë pune katërditore

Të hënën, Belgjika filloi zbatimin e rregulloreve të reja që lejojnë punonjësit të punojnë 4 ditë në javë në vend 5.

Dekreti u miratua pasi partitë që përbëjnë qeverinë e koalicionit arritën një marrëveshje për reformimin e jetës së punës në qershor.

Sipas kontratës, punonjësit do të mund t’i kërkojnë punëdhënësit mundësinë për të punuar katër ditë në javë. Nëse punëmarrësi dëshiron dhe lidh kontratë me punëdhënësin, ai do të mund të kryejë periudhën e punës javore 38-orëshe në 4 ditë në vend të 5 ditëve.

Punonjësit që përfitojnë nga kjo mundësi do të mund të shfrytëzojnë 3 ditë pushim në fundjavë ose të përdorin një ditë shtesë pushimi gjatë javës.

Ky sistem pune mund të zgjasë gjashtë muaj me miratimin e punëdhënësit, por mund të zgjatet në fund të gjashtë muajve të parë. Punëdhënësit kanë të drejtë të refuzojnë një kërkesë të tillë, por refuzimi duhet të bazohet në një arsye të vlefshme.

Euronews