November 27, 2022

Elon Musk kthen llogarinë e Donald Trump në Twitter

Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk, njoftoi se profili i ish-presidentit amerikan Donald Trump është rikthyer, pasi përdoruesit e platformës sociale e mbështetën lëvizjen përmes një sondazhi që ai inicioi.

– Populli ka folur, ka shkruar Musk në Twitter, duke informuar se 51.8% e mbi 15 milionë përdoruesve të Twitter kanë votuar për kthimin e llogarisë.

Ish-presidenti amerikan, megjithatë, mund të mos kthehet në platformë pasi tha se “nuk sheh asnjë arsye për tu kthyer”. Llogaria e tij u pezullua në vitin 2021 për shkak të rrezikut të nxitjes së dhunës.

Menaxhmenti i mëparshëm i Twitter fshiu llogarinë e Trump disa ditë pas sulmit në Kapitolin e SHBA në Uashington më 6 janar, ndërsa Kongresi po përpiqej të konfirmonte fitoren e Joseph Biden në zgjedhjet presidenciale. Katër civilë dhe një polic humbën jetën në trazirat e ndodhura gjatë bastisjes.

Pas kësaj, llogaritë e Donald Trump në Facebook, Instagram dhe YouTube, të cilat kishin dhjetëra milionë ndjekës, u pezulluan. Disa muaj më vonë, Trump lançoi platformën e tij, Truth Social.

CNN